Izet Mexhiti shpalli fitoren në komunën e Çairit, duke i uruar me ironi fitoren AKI-t në Pllasnicë. Ai shtoi se në Çair, shqiptarët çuan në pension një klasë të vjetër politike. Mexhiti shtoi se VLEN ka arritur fitore që në raundin e parë edhe në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
“Shfrytëzoj rastin t’i uroj fitoren z.Ahmeti në komunën e Pllasnicës. Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot me zemrën plot krenari mund të them se fituan shqiptarët, sonte një klasë politike u pensionua. Fitorja e Çairit është fitore e dinjitetit, shpresës. Qytetarët na shpërblyen me votë dhe besim, në anën tjetër, kundërshtarët tanë nuk kishin asgjë për të thënë. Ata bënë fushatë të zbrazët, të dëshpëruar. As gjuha e urrejtjes, as nacionalizmi nuk i shpëtuan, sepse shqiptarët nuk mashtrohen më. Prandaj sonte i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit, me plot respekt, por edhe me qartësi: Ky është çasti kur duhet të tërhiqesh, vota e shqiptarëve të dërgoi në pension”, tha Mexhiti.