Sunday, October 19, 2025
More

    Latest Posts

    ‘Dështim kolosal që dhemb’ – Në Serbi djeg ende humbja me Shqipërinë

    Dragan Dzajic, Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), është ndalur të flasë për humbjen e Serbisë ndaj Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, si dhe për trajnerin e ri të ekipit serb, pas largimit të Dragan Stojkovic-it pas disfatës me kuqezinjtë e Sylvinho-s.

    “Trishtimi dhe dhimbja (për humbjen ndaj Shqipërisë) ende më përshkojnë”, thotë kreu i futbollit serb.

    79-vjeçari tha se “të gjithë lojtarët e kombëtares që do të luajnë për ekipin kombëtar serb në nëntor duhet të japin më të mirën në duelet kundër Anglisë dhe Letonisë”.

    Serbia është një pikë pas Shqipërisë së vendit të dytë në renditje dhe është ende në garë për të arritur në play-off-in e Kupës së Botës, ndonëse kalendari duket se avantazhon kuqezinjtë.

    Ata përballen me Anglinë dhe më pas me Letoninë, ndërsa Shqipëria me Andorrën dhe më pas me Anglinë.

    Një humbje e serbëve në Angli dhe një triumf i kuqezinjëve në Andorra do të vuloste Shqipërinë në vendin e dytë dhe play-off.

    Kreu i FSS-së pohon se “objektivisht, do të jetë e vështirë të shkosh në fazën eliminatore, por në sport duhet të shpresosh, të presësh dhe të luftosh gjithmonë. E dimë se në çfarë situate ndodhemi, nuk mendoj se duhet të flasim shumë”.

    “Të gjithë ata që do të luajnë kundër anglezëve dhe letonezëve duhet të japin më të mirën e tyre në ato dy ndeshje”.

    “Njëra është realiteti, dhe tjetra janë shpresat tona”.

    “Stema dhe himni i Serbisë, si dhe fanella, na detyrojnë të gjithëve të shkojmë për fitore. Por ne gjithashtu prisnim që kundër Shqipërisë…”, theksoi ai.

    Duke u ndalur te ndeshja me Shqipërinë, Dzajic e quajti humbjen “dështim kolosal”.

    “Dështim! Një dështim kolosal! Nuk ka diskutim. Për një milion arsye, ne mund dhe duhej të bënim më mirë…”, tha 79-vjeçari.

    Megjithatë, ai shtoi se “dhimbja mbetet…”.

    “Ta pranojmë, futbolli është futboll, i bërë nga fitore dhe humbje. Surprizat janë të mundshme. Por trishtimi dhe dhimbja ende më përshkojnë”, zbuloi kreu i futbollit serb.

    “Jo sepse nuk mund të humbasësh, por sepse ajo ndeshje ishte pak më shumë sesa thjesht një shfaqje futbolli. Dhe kjo është arsyeja pse ndihem më fajtor”, shtoi legjenda e Serbisë.

    Humbja ndaj Shqipërisë, me golin e Rey Manajt, solli edhe dorëheqjen e trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkovic. Dhe, tani FSS-ja është e ngarkuar për të gjetur pasardhësin e Piksit.

    “Është një çështje serioze. Do të duhet t’i hapim sytë mirë. E di që historia për emrat është interesante për median. Dhe e kuptoj këtë”, vijoi ai.

    “Në thelb, ne në Shoqatë, që do të zgjedhim një trajner, duhet të bëjmë një analizë serioze gjatë përzgjedhjes. Që të mos bëjmë ndonjë gabim… Dhe, pavarësisht të gjithave, mund të bëjmë ndonjë gabim…”.

    “Le ta hedhim gjithçka në letër, të mendojmë me maturi dhe me kokë të ftohtë, të jemi të mençur, le të shohim se kush do të ishte kandidati më i mirë”, përfundoi Dragan Dzajic.

    Latest Posts

    Don't Miss

    Stay in touch

    To be updated with all the latest news, offers and special announcements.