SHPËRNDAJE

Është festa më e madhe e kombit shqiptar, që në vete ngërthen ngjarje të rëndësishme për kombin tonë: – 574 vite më parë (v. 1443), i Madhi Skënderbe hyri si fitimtar në Krujë kundër otomanëve, ku edhe ngriti Flamurin me Shqiponjën Dy Krenare.

– 105 vite më parë (v. 1912), Kuvendi i Vlorës nën drejtimin e diplomatit plak Ismail Bej Qemali Shpalli Mëvetësinë e Shqipnis nga Porta e Nalt. Pavarësia u shpall për krejt trojet etnike shqiptare, mirëpo Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) vendosi t’i “shpërblej” vendet fqinjë me toka shqiptare. – 73 vite më parë (v. 1944), Shqipëria u çlirua nga trupat naziste. Çlirimi i Shqipërisë ndërlidhet me largimin e trupave të fundit gjermane nga qyteti i Shkodrës. Grupimet politike në Shqipëri këtë ditë e përkujtojnë në data të ndryshme. – 62 vite më parë (v. 1955), u lind njeriu, vepra e të cilit do të mundësojë lindjen e shtetit të dytë shqiptar. Ky është Adem Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së. – 20 vite më parë (v. 1997), në varrimin e një mësuesi (Halit Geci) në Llaushë, të vrarë dy ditë më herët, do të dalin para masës tre trima shqiptar me maska e të armatosur, ku në krahun e tyre ishin të kalitura tri shkronja, UÇK, të cilat shumë shpejt u bënë fortë të njohura nga çdo shqiptar. Të maskuarit ishin Mujë Krasniqi (Hero i Kosovës), Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj. Në nderim të kësaj date, kombi ynë organizon manifestime nga më të ndryshmet. Për këtë vit, manifestimi më i njohur është Mbledhja (e katër me radhë) e Dy Qeverive Shqiptare (Shqipëri – Kosovë). Edhe pse krijimi i shtetit të Kosovës ka zbehur dëshirën e bashkimit të kësaj të fundit me Shqipërinë, prapseprapë kjo aspiratë mbetet në kokën e shumë shqiptarëve. Bashkimin ekonomik, kulturor, arsimor nuk na ndalon askush që ta jetësojmë. Lypset që politikëbërësit e të dy anëve të harmonizojnë antagonizmat e tyre (nëse këto ekzistojnë) dhe ato t’i shqelmojnë, në mënyrë që të krijohen kushtet për ËNDËRRËN E PASOUR. Halil Brahaj, Ph. D. (historian)

SHPËRNDAJE