SHPËRNDAJE

Në një takim të përbashkët ditën e hënë pritet të mblidhen Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.


Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Metro, deputeti i kësaj partie, njëherit sekretar i përgjithshëm i partisë, Ismajl Kurteshi.

Kurteshi ka konfirmuar se aty janë ftuar të gjithë anëtarët, duke mohuar t’i quajë ‘grupe’ dy krahët që tashmë po kundërshtojnë mjaft ashpër njëri tjetrin brenda partisë.

“Nuk ka grupe, të gjithë janë të ftuar, aq sa e kam parë ftesën”, tha shkurt ai.

Duke treguar se ende nuk është caktuar ora e takimit, Kurteshi bëri të ditur se ai do të marrë pjesë.

Kujtojmë që deputeti Dardan Molliqaj në një reagim të djeshëm ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët, ndërsa në anën tjetër Albin Kurti në njërën nga dy letrat e shkruara lidhur me zhvillimet në parti kishte ftuar të larguarit që të ftohen për debat në kryesi, duke thënë se po i pret aty.

Në këtë takim, pritet të jenë të pranishëm edhe shumica e atyre që janë dorëhequr nga organet udhëheqëse të partisë, pasi ky takim përfshinë edhe anëtarët e grupit parlamentar të VV’së, dhe shumica e të dorëhequrve janë deputetë. /

SHPËRNDAJE